Shqipëria nuk do digjet nga “bijtë e shqipes”!

Nga Astrit PATOZI

Për ata miq të shumtë që më pyesin se si arritëm në këtë pikë, kam një shpjegim fare të thjeshtë. Me atë që bën pazar, mund të bësh edhe luftë. Ky është rregulli, i cili, në fakt, nuk vlen vetëm për politikën.

A e keni parasysh atë togfjalëshin klishe të komunikatave të policisë, kur përplasen bandat dhe thuhet që pista kryesore është ” për prishje hesapesh”? Dhe duhet ta dini se gjithmonë, përpara se të vriten me njëri-tjetrin, banditët kanë qenë miq dhe kanë ndarë territore dhe lekë me shoshoqin. Njësoj si Edi Rama me Lulzim Bashën më 17 maj, të cilët dolën nga Kryesia e Kuvendit të qeshur dhe krenarë si të ishin vetëzbuluar vellezër të baladave ballkanike të rinjohjes.

Sepse mendoj që ky sistem, të cilin e kemi përqafuar para 30 vjetësh dhe pretendojmë se e kemi ndjekur ne gjithë këto kohë, nuk e pranon pazarin si instrument për të kapërcyer krizat, e aq më pak si zgjidhje.

Se ky sistem, i vlefshëm si për demokracitë e kthjellëta, ashtu edhe për vendet gjysëm apo çerekdemokratike, ka në thelb konkurrencën dhe lojën e ndershme, kur vijnë zgjedhjet, ku respekti real për kundërshtarin tregohet me fair play në përpjekjen serioze për ta mundur atë me garë. Ndryshe, nuk jemi brenda tij, ndaj edhe kemi mbërritur sot në këtë moment dramatik, krejtësisht të paimagjinueshëm më parë për mendje të kthjellëta.

Me këtë që ka ndodhur, po të ishte në lojë fati politik i dy personazheve, të Edi Ramës dhe të Lulzim Bashës, do ta kisha patur të lehtë të thoja që kokën hëngshin me njëri-tjetrin, sepse edhe atë pak do ta kishin. Por as eksperienca, as mosha, as përgjegjësia publike nuk më lejojnë që ta mendoj qoftë për një sekondë ashtu. Shqipëria nuk u ka asnjë borxh qoftë edhe ankthin e disa ditëve për të ardhmen e vet këtyre aventurierëve.

Sepse Edi Rama, kur mendon raportin e tij me vendin dhe me shoqërinë ka parasysh vetëm Lulzim Bashën, të cilin ndoshta edhe mund ta tallë dhe ta mundë sa herë të dojë.
Ndërsa ai tjetri, kur merr i gëzuar dhe me këngë në gojë një vendim të tmerrshëm dhe të paprecedent për gjithë globin, ka parasysh tamam tamam, që po kërciti ndonjë pushkë diku në Shqipëri për këtë shkak, t’i hipë avionit e të shkojë në Holandë, ku ka të siguruar edhe shtëpinë edhe fëmijët e vet.

E megjithë sa kanë ndodhur, unë ende besoj se Shqipëria nuk do të digjet, edhe pse ata që kanë më shumë përgjegjësi dhe mundësi për ta dëmtuar atë, i kanë marrë në duar urat e zjarrit. Dhe nuk e teproj aspak po të them se e vetmja shpresë që këtij vendi të mos i dalë tymi nuk jemi ne, “bijtë e shqipes së inatosur”, por janë miqtë tanë ndërkombëtarë.

Të cilët me fuqinë, durimin dhe paanësinë e tyre janë të vetmit që mund të evitojnë një skenar të kobshëm, të cilit askush sot nuk mund t’ia përfytyrojë fundin. Gjithmonë, në rast se do të kenë interes dhe përkushtim që të investohen me kapacitet të plotë në këtë ndërmarrje jo aq të lehtë për të shuar zjarrin e qëllimshëm që ne vetë i kemi vënë shtëpisë sonë.

E thotë këtë një njeri, që nuk e ka fetishizuar kurrë rolin e të huajve, jo vetëm në Shqipëri, por në çdo vend tjetër të lirë, sepse unë besoj fort që përgjegjësitë në këtë botë nuk mund të delegohen. Ato janë për t’u mbajtur në radhë të parë nga ata që e kanë detyrim atdhetar, kushtetues, politik, moral dhe njerëzor në radhë të parë.

Lajmi i vetëm i mirë në këtë katastrofë politike, që ende përbën rrezik për shoqërinë tonë, është fakti që sistemi i kalbur politik po jep shenjat e qarta se po shkon drejt vdekjes klinike. Por është akoma shpejt për të thënë se kjo do të përkthehet dikur në një të mirë publike për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.
Kaq mund të them për sot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *